Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e Sigurisë në Munih ka thënë se nuk është mirë që nuk janë takuar paraprakisht me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, para udhëtimit në Gjermani. Megjithatë ai thotë se ka ende kohë që të takohen me njëri-tjetrin.
Në Konferencën e Sigurisë të mbajtur në Munih të Gjermanisë, po marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk është mbase mirë që nuk jemi takuar para se të vijmë këtu, por do të takohemi kemi kohë”, ka thënë Kurti.
Kurti është pyetur se a kanë pasur qëndrime unike me presidentin Thaçi gjatë bisedimeve në konferencë, ai ka thënë se nuk e di se a do të arrijnë t’i unifikojnë qëndrimet e tyre.
“Nuk e di sa do të mund t’i unifikojmë qëndrimet mirëpo, unë shprehi vullnetin dhe interesimin tim qe të mos kemi dy ose më shumë politika të jashtme të Kosovës”, ka thënë Kurti në një intervistë për DW.
Madje, kryeministri i Kosovës ka përmendur edhe letrën që Trump ia kishte dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit në dhjetor të vitit 2018.
“Madje dhe presidenti Trump në letrën që ia ka dërguar Thaçit më 14 dhjetor të 2018-së, ka thënë se Kosova duhet të flasë me zë të unifikuar, me një zë të bashkuar, mendoj se këtë duhet ta bëjmë sa më mirë”, është shprehur Kurti.
Kurti e kishte ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në takim për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë, por presidenti Thaçi tashmë ishte nisur për në Gjermani./Gazeta Sinjali/