Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar para takimit me Isa Mustafën, ku pritet të finalizohet gjatë ditës së sotme marrëveshja mes LDK-së dhe VV-së për koalicion qeverisës.
Kurti para këtij takimi u ka thënë gazetarëve se tashmë janë pajtuar që t’i kenë 12 ministri dhe se sot do të vazhdojnë bisedimet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.
“Sot do t’i vazhdojmë bisedimet për marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës ku do t’i kemi 12 ministri në qeverinë time dhe këto bisedime do t’i vazhdojmë me profesorin Isa Mustafa”, ka thënë ai.
Më tutje ai ka thënë se shpreson që sot do të merren vesh për 12 ministrat e rinj, ndërsa harmonizimin e programit e ka quajtur si pjesën më të vështirë të bisedimeve mes dy partive.
“Uroj, shpresoj e besoj se sot ashtu siç jemi marrë vesh për programin do të merremi vesh edhe për ndarjen e posteve të 12 ministrive. Këto bisedime do të fillojnë tash dhe kur do t’i kemi këto marrëveshje do të ju njoftojmë”.
“Për bindjen time harmonizimi i programit ka qenë pjesa më e vështirë dhe nuk pres vështirësi në procesin e ndarjeve të posteve”, ka deklaruar Kurti..
I pyetur se a do të arrihet marrëveshje gjatë ditës së sotme ai ka thënë se nuk mund të flas edhe në emër të LDK-së.
“Marrëveshja është marrëveshje mes dy palëve kështu që nuk mund të flas edhe për palën tjetër”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/