Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se taksën do ta heqin sepse ashtu kanë premtuar dhe do t’i qëndrojnë nga mbrapa premtimeve, sipas tij taksën do ta zëvendësojnë me reciprocitet dhe se nuk do të mbesin pa njërën prej tyre.
‘’Ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës shtatë dhjetor 2011 dhe ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Ajo i ka dy aspekte; aspektin politik dhe ekonomik. Aspekti politik më shumë i korrespondon shkakut dhe shkasit. Shkaku ishte fushata agresive e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, ndërkaq shkasi ishte mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, madje edhe shumë faktorë ndërkombëtarë e theksojnë që Serbia duhet ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës’’, është shprehur Kurti.
I pyetur nga Zëri i Amerikës, Kurti ka thënë se do të merren sa më shpejt që të jetë e mundur lidhur me taksën por fillimisht do të fokusohen në projektbuxhetin e vitit 2020.
“Do të dëshironim sa më shpejt që të jetë e mundur, mirëpo unë sot mezi kam arritur që ta përfundoj në ditën e tretë të punës vizitën e stafit në ndërtesën e kryeministrisë, ka shumë zyre e shumë dyer këtu dhe këtë javë kisha një mbledhje ceremoniale solemne, do të vazhdoj me mbledhjen e radhës e kemi projektligjin për buxhetin e vitit 2020, programin qeverisës, e kemi planin e punës së qeverisë, e kemi shqyrtimin e një mori të vendimeve pas dorëheqjes së ish kryeministrit në korrik të vitit të shkuar. Natyrisht që kjo është ndër prioritetet tona mirëpo, ne ende nuk jemi vendosur në qeveri tamam dhe do të na nevojitet ca kohë, do të përpiqemi më shpejt mirëpo jo gjithçka varet tash prej nesh”, ka thënë ai.
Ai po ashtu shton se bisedimet me Serbinë nuk janë ndaluar, përkundër se është raportuar se Serbia nuk ulet në tavolinë me Kosovën për shkak të taksës, dhe se dy shtetet janë takuar rregullisht nëpër tryeza ndërkombëtare dhe konferenca./ Gazeta Sinjali/