Qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Gjilanik, që udhëhiqet nga Alban Hyseni, ka shpenzuar mbi 7 mijë e 500 euro për dreka zyrtare, teksa mbi 5 mijë të tjera për derivate.
Gazeta Sinjali ka siguruar faturat e shpenzimeve nga kjo komunë në bazë të kërkesës për qasje në dokumente publike.
Nga janari i këtij viti deri në fund të muajit gusht, kabineti i kryetarit Hyseni ka shpenzuar 7 mijë e 520 euro vetëm për dreka e darka zyrtare.
Në shpenzimet e kryera nga kabineti i Hysenit, del se një drekë prej 1 mijë e 800 eurove iu dedikua pritjes së ‘Ansamblit Shqiptar Kombëtar’.
Kurse, 1 mijë e 400 euro u shpenzuan për një drekë për ‘Ditën e Çlirimit të Gjilanit’. Në këtë drekë morën pjesë 100 persona.
Ndërkaq, 986 euro u shpenzuan për drekën me anëtarët e KFOR-it nga Amerika.
E sa i përket shpenzimeve për karburante, nga kjo komunë deklarojnë se për 6 muaj kanë shpenzuar 5 mijë e 422 euro e 82 cent.
Kurse, për mëditjet, nga komuna thonë se kryetari Alban Hyseni dhe nënkryetarja, Leonora Morina Bunjaku nuk ka marrë asnjë cent.
Kujtojmë se Hyseni fitoi garën për të parin e Gjilanit në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u mbajtën vitin e kaluar.