image Alarmet e rreme për bomba në rajon – Çka dihet deri tash? - Sinjali

Alarmet e rreme për bomba në rajon – Çka dihet deri tash?

news image

Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.

Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim. Policia, gjithashtu, nuk ka bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit në Kosovë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se “nuk ka arsye për shqetësim”, pas raportimeve për bomba në institucionet e arsimit.

“Forcat e rendit po marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar çdo kërcënim të sigurisë”, tha ai.

Rashit Qalaj, ish-Drejtor i Policisë së Kosovës dhe tani anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, tha se ndonëse kërcënimet për bomba nuk ka shumë gjasa të rezultojnë të vërteta, të gjitha raportimet duhet marrë seriozisht.

Sipas tij, shqetësues mbetet kapaciteti i ulët i organeve të rendit në Kosovë për të hetuar në formë më efektive kërcënimet kibernetike, në këtë rast adresat nga vijnë këto alarme të rreme.

“Kapacitetet nuk janë të mjaftueshme, edhe pse Policia e Kosovës e ka një njësi që merret me luftimin e krimeve kibernetike, por këto kapacitete duhet të shtohen”, tha Qalaj.

Ai, po ashtu, tha se duke pasur parasysh që kërcënimet e ngjashme kanë kapluar disa vende të Ballkanit, duhet shtuar “bashkëpunimin rajonal të policive” për t’iu afruar kapjes së autorëve.

Rikujtojmë se Kosova nuk ka arritur të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), përmes së cilës mund të lëshohen fletë-arreste ndërkombëtare.

Si nisën kërcënimet për bomba?

Mali i Zi ishte ndër shtetet e para në Ballkan që pranoi kërcënime serioze për mjete shpërthyese nëpër institucione publike e private që nga fundi i muajit mars.

Më 1 prill, atje u evakuuan nxënësit dhe personeli nga dy shkolla pas një e-maili kërcënues se ishin vendosur bomba.

Qeveria e Malit të Zi kishte njoftuar se kishte marrë një e-mail kërcënues, ku thuhet se dërguesi është organizata “Shteti i Burrave” dhe menaxheri i saj Vladislav Podznjakov dhe se ndër kërkesat e tyre është edhe “ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi”.

Më vonë, më 27 prill, arritën e-maile në zyrat e komunave, të shkollave dhe policisë, që alarmojnë për vendosje të bombave në disa institucione, në lokacione si: Podgoricë, Nikshiq, Berane, Tivar, Cetinje e Budvë.

Drejtoria e Policisë bëri të ditur se është konstatuar se emailet janë dërguar nga domenet, serverët e të cilëve ndodhen jashtë vendit dhe se po punohet për identifikimin e dërguesve.

Kërcënimet në Serbi

Edhe objektet publike në Beograd të Serbisë kanë qenë cak i raportimeve të rreme për vendosje bombash.

Policia nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të të gjithë alarmeve për bomba, por besohet se janë pranuar qindra raportime të tilla.

Përveç kërcënimeve për bomba në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në ura në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës, janë ndër lokacionet për të cilat janë marrë raportimet për bomba.

Më 19 maj, anëtarë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë kanë identifikuar disa shtete, prej të cilave kanë ardhur mesazhet kërcënuese dhe raportimet e rreme për bomba në javët e fundit.

“Është përcaktuar se tetë kërcënime të tilla kanë ardhur nga Polonia, katër nga Gambia, dy nga Irani dhe Nigeria dhe një nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia”, tha ministria nëpërmjet një njoftimi të mërkurën në mbrëmje.

Në njoftim, po ashtu, thuhet se autoritetet kanë identifikuar vendndodhjet e 19 adresave elektronike prej të cilave janë dërguar mesazhet kërcënuese.

Për këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka këmbyer të dhëna përmes Europol-it dhe Interpol-it dhe me autoritetet në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari, por edhe me kompaninë Google.

Sipas njoftimit, 18 adresa janë të shërbimit të Gmail-it dhe një adresë elektronike është nga ProtonMail.

“Për shkak të raportimeve të rreme për vendosje të bombave në ndërtesa publike, anëtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndjekur tetë persona, qytetarë të Serbisë, gjatë katër ditëve. Dy janë arrestuar dhe kallëzime penale janë ngritur kundër gjashtë personave të tjerë mitur”, tha kjo ministri.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha më 17 maj se raportimet për vendosje të bombave në Serbi ishin presione nga jashtë, sepse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Ndërkaq, më 16 maj, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, tha se një luftë speciale po bëhej ndaj Serbisë me raportimet për bomba.

Edhe në Kroaci është raportuar për një kërcënim të rremë për mjet shpërthyes në një qendër tregtare në Zagreb më 18 maj.

Në shkurt, punëtorët e një gjykate në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, ishin evakuuar nga objekti nën kërcënimin për bombë, i cili po ashtu doli të ishte alarm i rremë.

Global Initiative: Alarmet e rreme, synim për krijim të destabilitetit

Dy ekspertë ndërkombëtarë nga organizata ndërkombëtare Global Initiative, me seli në Vjenë, e cila merret me fushat e sigurisë dhe mbrojtjes mendojnë se kërcënimet masive kanë një ndikim operacional në Serbi dhe në Ballkan.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Srbinovski, i cili tha se kërcënimet krijojnë një gjendje artificiale të destabilitetit dhe “burimet policore në rajon harxhohen në mënyrë të panevojshme”.

“Raportet masive të rreme për bomba [nëpër shumë vende të Ballkanit] na tregojnë se organizatorët [e kërcënimeve] nuk mendojnë mirë për Ballkanin, jo vetëm një shtet”, tha ai.

Ai shtoi se nëse shtetet nuk reagojnë shpejt dhe me profesionalizëm ndaj këtyre kërcënimeve speciale apo hibride, ato mund të zvogëlojnë potencialin e vendit për reagim “kur të jetë realisht e nevojshme”.

“Me fjalë të tjera, që dikush të dërgojë kaq shumë raporte në kaq shumë adresa të ndryshme në disa vende të Ballkanit në të njëjtën kohë, ai nuk mund të jetë një individ, por një organizatë shumë serioze”, vlerësoi Srbinovski.

Ndërkaq, Giorgio Fruscione, i cili është pjesë e rrjetit të ekspertëve të së njëjtës organizatë, vlerësoi tha për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, se nuk mendon që qytetarët janë realisht në rrezik, “por u imponohet se është kështu”.

Ai komentoi edhe deklaratat e liderëve të Serbisë se po vijnë “presione” nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga Rusia.

“Po krijohet një situatë e rrezikut të përgjithshëm për të vërtetuar se Serbia nuk ka zgjidhje tjetër, se duhet të anëtarësohet në BE dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Në këtë mënyrë, autoritetet nuk mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, sepse do të vazhdojnë t’u shesin qytetarëve të tyre historinë se si u detyrua shteti ta bëjë atë zgjedhje”, tha ai.

Nga shtetet e rajonit, vetëm Serbia nuk i ka vendosur sanksione Moskës, duke thënë se me këtë po vepron në të mirë të interesave shtetërore.

Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka thënë se do të luftojë për aq kohë sa të mundet që të mos i vendosë sanksione Rusisë, por ka shtuar se dëmi që shteti i tij po përjeton si rezultat i këtij vendimi, është i madh.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin