Media e njohur Al Jazeera, i ka kushtuar një artikull Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila u abuzua nga policët serbë si adoleshente gjatë luftës në Kosovë dhe tani po kërkon drejtësi si deputete në Kuvendin e Kosovës.
Artikulli nis duke treguar se në vitin 2017, Krasniqi-Goodman ua ka shkruar një letër të hapur përdhunuesve që e kanë sulmuar atë seksualisht dhe e ka publikuar atë në llogarinë e saj në Facebook.
“Dhunuesit e saj, dy policë serbë, e rrëmbyen dhe e dhunuan kur ishte 16 vjeçe gjatë luftës së Kosovës. Ndaj tyre u ngrit aktakuzë, por më pas u liruan prej akuzës nga Gjykata Supreme e Kosovës në vitin 2014”.
Al Jazeera tregon se ajo kishte jetuar në Teksas të Shteteve të Bashkuara që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por në vitin 2015 u kthye në Kosovë si e mbijetuara e parë e dhunës seksuale gjatë luftës që e ndau rrëfimin e saj publikisht, në televizion kombëtar, pa e fshehur identitetin e vet, transmeton klankosova.
“Që atëherë ajo është në një mision, duke ofruar mbrojtje për të mbijetuarit e dhunës në Kosovë dhe përreth botës, duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në vendin e saj”.
Ky medium thekson se deri më sot asnjë autor i krimeve në Serbi ose Kosovë nuk është dërguar në burg për dhunim seksual.
Këtë vit Krasniqi-Goodman vendosi të garojë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Kurrë nuk e kam parë veten si dikush që do të garojë për zyrë. Isha e lumtur që isha aktiviste. Isha e lumtur që e tregova rrëfimin tim, duke e përhapur fjalën e asaj që ndodhi në Kosovë gjatë luftës”, tha Krasniqi-Goodman.
Ajo dhe partia që iu bashkua, Lëvizja Vetëvendosje e krahut të majtë, fituan bindshëm me mbi 50 për qind të votave.
Krasniqi ishte në mesin e 10 personave me më së shumti përkrahje, duke marrë 61.885 vota.
Gjatë Luftës së Kosovës më 1998 dhe 1999, burime të ndryshme vlerësojnë se 20.000 gra e burra janë dhunuar seksualisht dhe janë torturuar nga policia serbe e ushtria jugosllave.
Turpi dhe stigmatizimi që e rrethojnë temën e dhunimit seksual gjatë luftës i parandalojnë të mbijetuarit që të flasin publikisht për atë që u ka ndodhur para 22 vjetëve. /Gazeta Sinjali/