image Akuzohet si pacientja e parë me koronavirus në SHBA, si të shkatërrohet jeta nga teoritë konspirative

Botë

Pandemia/ Akuzohet si pacientja e parë me koronavirus në SHBA, si të shkatërrohet jeta nga teoritë konspirative

news image

Maatje Benassi, rezerviste në ushtrinë amerikane dhe nënë e dy fëmijëve, është shënjestruar nga teoritë konspirative, që e cilësojnë si personin që ka sjellë koronavirusin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo teori përhapet në YouTube çdo ditë dhe është “përqafuar” edhe nga mediat e Partisë Komuniste kineze. Edhe pse nuk ka dalë kurrë pozitive në testin për koronavirusin, madje nuk ka pasur simptoma, Benassi dhe bashkëshorti i saj janë objekt diskutimi në rrjetet sociale kineze.

Diçka e tillë e ka kthyer përmbys jetën e çiftit amerikan, që thotë se adresa e shtëpisë së tyre është postuar “online” dhe profilet e tyre në rrjetet sociale u mbushën me mesazhe nga personat që i besojnë teorive konspirative.

Për herë të parë që kur është bërë e famshme “online”, Benassi foli publikisht për CNN Business: “Është makth çdo ditë e jona. Dua që njerëzit të mos më ngacmojnë më, ky është bullizëm. Situata ka dalë jashtë kontrollit”.

Gjigantët e teknologjisë kanë ndërmarrë hapa për të luftuar dezinformimin në lidhje me koronavirusin, por asnjë nga këto hapa nuk ka ndihmuar familjen Benassi.

Matt është munduar që të fshijë videot nga YouTube dhe të parandalojë përhapjen e tyre, por avokati dhe policia i kanë thënë që nuk ka mënyrë për t’i fshirë.

Teoritë konspirative nisën të përqendroheshin te Maatje Benassi në muajin mars. Baza e tyre ishte pjesëmarrja e saj në Olimpiadën e Ushtrive, që u organizua në Wuhan, qytetin kinez që u bë epiqendër e koronavirusit. Maatje konkurroi në konkursin e çiklizmit atje, duke u përfshirë në një aksident që i la një brinjë të thyer. Kjo gjë ishte pikënisja e teorisë konspirative.

Një nga të parët që e ushqeu teorinë ishte George Webb, një 59-vjeçar amerikan që transmeton direkt në YouTube, aty ku ka mbi 100 000 ndjekës dhe 27 milionë shikime.

Në vitin 2017, CNN zbuloi se Webb ishte pjesë e një tresheje konspiracionistësh që nxorën lajmin se në Karolinën e Jugut po mbërrinte një anije mallrash me një “bombë”. Bomba nuk doli kurrë në dritë, por zërat bënë që pjesë të portit të Karolinës së Jugut, një nga më të mëdhenjtë në SHBA, të mbylleshin për një periudhë kohe.

Webb tha se DJ italian, Benny Benassi, kishte koronavirus dhe ai, së bashku me Maatje dhe Matt Benassi, ishin pjesë e skenarit të lidhur me virusin. Benny tha për CNN Business se kurrë nuk e ka takuar çiftin Benassi dhe nuk ka informacion se kanë lidhje farefisnore. Gjithashtu, DJ i tha CNN Business se nuk është diagnostikuar me koronavirus.

CNN u lidh me telefon me George Webb, i cili nuk dha prova të lidhjes së Benny Benassi me çiftin, por tha se e konsideron veten një “gazetar investigues” dhe jo një konspiracionist.

Matt Benassi deklaroi se është munduar ta zgjidhë këtë çështje, por është shumë e vështirë: “Jetojmë në një vend me lirinë e fjalës dhe autoritetet nuk mund t’ia mbyllin gojën Webb-it. Më thanë të gjenim avokat. E gjetëm, por e kuptuam që për njerëzit e thjeshtë është shumë e vështirë që të nxjerrësh të vërtetën në dritë. U ankuam te YouTube, por edhe kur kompania pranon të fshijë një video, ajo video do disa ditë që të zhduket. Gjatë kësaj kohe, videoja bëhet virale dhe dëmi u bë. Më e keqja është se ato video postohen sërish në YouTube”.

Eksperienca e familjes Benassi, fatkeqësisht, nuk është rast i veçuar. Sipas Danielle Citron, profesor në Universitetin e Bostonit, autoritetet kanë shumë pak në dorë në raste të tilla. Ndërsa, përsa i përket YouTube, Citron mendon se ligji duhet të ndryshojë: “Aktualisht, YouTube ka imunitet nga ligji. Kështu që, nuk ke çfarë i bën”.

Çfarëdo që të ndodhë më vonë, Maatje Benassi thotë se dëmi është bërë tashmë: “E di që nuk do të jetë asgjë si më parë. Sa herë që do të shkruash në Google emrin tim, unë do të dal si pacienti zero”. /Gazeta Sinjali/