image Akuzat për koktej molotovi në zyret e VV-së, Kastrati i quan politike

Kosovë

Seanca/ Akuzat për koktej molotovi në zyret e VV-së, Kastrati i quan politike

news image

Pas përfundimit të seancës për rastin “Koktej molotovi në zyret e VV-së”, i akuzuari Gëzon Kastrati, aktivist i PSD-së (Partia Socialdemokrate), tha se gjykimi ndaj tij është politik.

Kastrati kundërshtoi që seancat të mbahen të mbyllura për këtë rast, raporton Gazeta Sinjali.

“Mua më vjen shumë keq që seanca ka qenë e mbyllur. Arsyetimi i gjykatës ke që është një i mitur edhe pse ai nuk është i mitur, ka qenë në rastin kur akuzohet por tash i ka diku 19 vite ose 20 vite… Ne akuzohemi për kinse përgatitje të veprës terroriste ku një rast ka shkuar në depo të Vetëvendosjes e që është shumë i dyshimtë, kur t’i analizojmë provat keni me e pa që nuk ka absolutisht asgjë që mund të na akuzojnë neve, thjesht është gjykim politik”, tha ai.

Në departamentin special të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca për shqyrtimin fillestar ndaj dy aktivistëve të PSD-së, Gëzon Kastratit dhe Korab Korçës si dhe aktivistit të Vetëvendosjes, Ç.G, të cilët akuzohen për veprën “Përgatitje të veprës terroriste”.

Kjo seancë u mbajt e mbyllur pas aktvendimit që mori kryetarja e Trupit Gjykues, Albina Rama e cila tha se seancat për këtë rast do të mbahen të mbyllura, pasi që i akuzuar Ç.G është i mitur. Madje, ajo përmes aktvendimit ndaloi edhe zbulimin e të gjitha të dhënave për të. /GazetaSinjali/