image Akuza për kërcënim e shantazh, Totaj sot në konferencë pas dorëheqjes së Kabashit

Politikë

Akuza për kërcënim e shantazh, Totaj sot në konferencë pas dorëheqjes së Kabashit

news image

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka thirrur konferencë për media. E kjo për shkak të dorëheqjes së Vjollca Kabashit nga pozita e drejtoreshës të Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren.

Sipas njoftimit, mbledhja e rregullt e drejtorëve e paraparë të mbahet sot me fillim në orën 09:00, nuk do të mbahet.

Ndërkaq, konferenca do të nis në ora 12:00.

Ndryshe, Kabashi në njoftimin e saj në Facebook, thotë se është kërcënuar e shantazhuar.

Ajo është ankuar se kërkesat e saj të vazhdueshme për bashkëpunim me kryetarin e Komunës janë injoruar.

“Kam pritur për 5 muaj që vendimet ti nënshkruaj kryetari i komunës. Për 10 muaj asnjëherë nuk jam pritur nga kryetari për kërkesat që i kam bërë për takim” – ka thënë ajo.

Po ashtu ka thënë se ka qenë në presion për ta nënshkruar një pagesë për të cilën thotë se është e kundërligjshme.

“Andaj shpreh indinjatën time të thellë që nga e enjte deri të premten në ora 13:20 minuta lidhur me një pagese që për mua është e kundërligjshme duke më shantazhuar e duke më kërcënuar se unë të shkarkoj dhe jam detyruar të nënshkruaj nën presion dhe kërcenim me urdhra të kryetari Shaqir Totaj, shefit te kabinetit Nehat Elshani dhe drejtorit të Drejtorisë të Shërbimeve Publike Çelë Lamaj” – ka shkruar ajo.

Për pretendimet e saj për shkelje ligjore, Kabashi ka njoftuar se i është drejtuar edhe Policisë së Kosovës.

“Pas detyrimit të nënshkrimit nën kërcënim brenda zyrës së kryetarit, i dërgova email përsëri kryetarit ku lidhur me këtë rast i njoftova dhe u drejtova në stacionin policor ku dhashë deklaratë në njësitin e krimeve ekonomike në Prizren për të gjitha këto parregullsi” – ka shkruar Kabashi.

Ndryshe, Komuna e Prizrenit drejtohet nga Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili ka lidhur koalicion me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

/GazetaSinjali/