Publicisti dhe gazetari, Enver Robelli i cili ishte njëri prej atyre që kishte reaguar publikisht lidhur përkthimin dhe pasaktësitë në versionin shqip të raportit të ekspertizës zvicerane, është deklaruar sërish pasi përkthyesi Ismail Ismaili bëri të ditur qëndrimin e tij në një bisedë ekskluzive për Gazetën Sinjali.
Robelli për krejt këtë situatë si përgjegjëse kryesore ka bërë Prokurorinë e Prizrenit duke e akuzuar për diletantizëm përderisa nuk e ka shfajësuar as përkthyesin.
“Sigurisht që përkthyesi e ka pjesën e vet të përgjegjësisë. Arsyetimet se ka qenë nën presionin e kohës, mund të jenë të vërteta, por në raste të tilla çdo profesionist kërkon kohë shtesë ose ndihmë nga përkthyes të tjerë. Megjithëkëtë, në çështjen e përkthimit kanë dështuar më së shumti autoritetet e drejtësisë, të cilat një raport tejet delikat dhe gjuhësisht sfidues për shkak të terminologjisë shkencore e kanë trajtuar si një çertifikatë të lindjes që mund të përkthehet shpejt e shpejt duke rrufitur kafe”, ka shkruar Robelli.
Ai ka shtuar se pas përkthimit, Prokuroria në Prizren është dashur ta angazhojë një lektor serioz të gjuhës shqipe dhe ekspertë të tjerë, të cilët do ta kishin shikuar me vëmendje tekstin, pastaj do të mund të korrigjoheshin paqartësitë logjike.
“Por nga një Prokurori skandaloze nuk pritet profesionalizëm, fatkeqësisht vetëm diletantizëm dhe amatorizëm. Këtu kemi të bëjmë me dështim kolosal të shumë hallkave të sistemit të drejtësisë – përkthyesi është një hallkë pak më e largët” ka përfudnuar gazetari dhe publicisti Enver Robelli. /Gazeta Sinjali/