Ish-prokurori Agron Matjani, mëngjesin e sotëm është gjetur i vdekur nga familjarët në banesën e tij në Prizren. Rrethanat e vdekjes së tij janë ende të dyshimta për Policinë dhe Prokurorinë.
Matjani ishte prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës. Gjatë detyrës si prokuror, ai trajtoi raste nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat, siç është edhe ai i vrasjes makabre të gruas dhe vajzës nga Pjetër Nrecaj. Së fundi, Matjani ishte ulur edhe vetë në bankën e të akuzuarve, shkruan Gazeta Sinjali.
Prokurori Matjani vitin e kaluar pretendonte se kishte prova të mjaftueshme në një rast tjetër, kur Lauresha Maliqi gjykohej për vrasjen e vajzës së saj.
Imazhi publik i prokurorit Agron Matjani do të zhytej në nëntor të vitit të kaluar, kur gruaja e vëllait të tij, e kishte raportuar në Policinë e Prizrenit atë dhe burrin e saj. Matjani ishte duke u hetuar për dyshimet se e kishte kërcënuar gruan e vëllait. Në këtë rast, Matjani e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.
Për rastin e kërcënimit, në janar të këtij viti, Agron Matjani ishte suspenduar nga puna.
Jo shumë kohë pas, në maj, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi që ta shkarkojë nga detyra e prokurorit Agron Matjanin, por jo për rastin e kërcënimit. Ky Këshill e mori vendimin për shkarkimin e tij, për, siç thuhej, mosrespektimin e rëndë të detyrave zyrtare. Shkarkimi erdhi pas zhvillimit të disa procedurave disiplinore ndaj tij.
Më 5 nëntor, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër ish-prokurorit Agron Matjani. Sipas aktakuzës, Matjani me dashje kishte keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit. Sipas Prokurorisë, ai me rastin e ngritjes së aktakuzave në disa raste penale, në mënyrë drastike e kishte zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, duke ua mundësuar të akuzuarve që të dënoheshin shumëfish më lehtë për veprat penale të cilat i kishin kryer.
Në aktakuzë theksohej një rast penal kundër Qëndrim Shalës dhe Veton Gjoshit, të cilët më të shtëna zjarri nga pushka automatike dhe nga revolja i kishin vrarë tre persona të cilët kishin qenë të ulur në një kafiteri të Gjakovës, përderisa me vendim, hetimin e kishte zhvilluar një prokuror tjetër në drejtim të veprës penale “vrasje e rëndë”.
Për këtë vepër për të cilën parashihet dënim jo më pak se 10 vjet burgim ose burgim i përjetshëm, Matjani në janar të 2018-ës, e ka zbutur veprën në “vrasje”, e cila dënohet jo më pak se 5 vite burgim.
Në shqyrtimin e parë gjyqësor të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës të mbajtur më 22 nëntor, ish-prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Agron Matjani ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Aktakuzën nuk e kam të qartë. Thuhet me qëllim të ofrojë dobi materiale. Kush i shqipton dënimet, a unë i shqiptoj a? Unë nuk e kuptoj këtë pjesë”, kishte thënë Matjani.
Ish-prokurori Agron Matjani është gjetur i vdekur nga familjarët e tij sot rreth orës 09:30 në banesën e tij në Prizren. Vdekjen e tij e ka konstatuar emergjenca nga vendi i ngjarjes.
Hetuesia rajonale, forenzika dhe prokurori kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i ish-prokurorit Matjani është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Gazeta Sinjali/