Pas një pune të përbashkët në mes dy delegacioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Ministrinë e Mbrojtjes në Shkup u nënshkrua plani bilateral në fushën e mbrojtjes në mes ministrive të mbrojtjes së dy shteteve për vitin 2023.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës thuhet se me protokoll zyrtar, nënshkrimi i planit bilateral u bë nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes i Ministrisë së Mbrojtjes, Faruk Geci dhe shefja e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, nënkolonel Biljana Nikolovska.
MM njofton se plani bilateral përmban aktivitetet kryesore të fushës së mbrojtjes të cilat do të realizohen në mes Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi në të ardhmen të zgjerohet e intensifikohet edhe më tej.