image Aktivistët e “Marshojmë s’festojmë”: U gjobitëm nga Policia pas aksionit të 8 Marsit

Sociale

Aktivistët e “Marshojmë s’festojmë”: U gjobitëm nga Policia pas aksionit të 8 Marsit

news image

Aktivistët e kolektivit “Marshojmë s’festojmë” kanë thënë se janë gjobitur nga Policia e Kosovës për kundërvajtje pas aksionit të ndërmarrë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars.

Përmes një njoftimi thuhet gjoba erdhi edhe përkundër se këto aksione ishin paralajmëruar nga kolektivi dhe ishin pranuar nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

 “Për çdo vit, marshi i 8 marsit po bëhet më i fuqishëm. Këtë vit, marshi i organizuar në Prishtinë, karshi organizimeve në qytete tjera, u bë më gjithëpërfshirës qoftë në terma të kërkimit të përgjegjësisë, grupeve të përfshira dhe mjeteve të protestës. Përgjatë trajektores së marshit i cili filloi tek Pallati i Drejtësisë, në kërkim të drejtësisë për gratë e vrara, aktivistet/ët ndërmorën aksione simbolike duke hedhur ngjyrë dhe duke bërë grafite në formë proteste. Këto ndërhyrje e përshkuan të gjithë rrugën, duke përfshirë këtu Këshillin Prokurorial, Policinë e Kosovës, Këshillin Gjyqësor dhe Qeverinë e Kosovës. Përkundër paralajmërimit dhe lejimit të të gjitha ndërhyrjeve simbolike, Policia e Kosovës ka vendosur që të na gjobisë, e gjithë kjo në vazhdën e policimit të organizimeve feministe në Kosovë”.

Gjithashtu, Kolektivi thotë se kjo gjobë, përveç që i revolton, e konsideron edhe të papranueshme dhe thellësisht të padrejtë.

Në njoftim thuhet se do të vazhdojnë që të organizohen aksione të tilla dhe sipas tyre do të jenë çdo herë e më të fuqishme.

“Kjo pasi që Policia e Kosovës, duke qenë njëra nga institucionet kryesore përgjegjëse  për neglizhimin dhe trajtimin jo-adekuat të rasteve të dhunës ndaj grave, është konsideruar njëra nga fajtoret për vrasjen e grave. Prandaj, këtë gjobë e cilësojmë si akt hakmarrës nga Policia ndaj aktivisteve/ëve për kritikën ndaj tyre. Është e qartë se aparati shtypës shtetëror duke parë potencialin e organizimit feminist në Kosovë, përmes këtyre përpjekjeve për frikësim, tenton ta dobësojë atë. Megjithatë, ne nuk do të zmbrapsemi. Ne do të vazhdojmë rezistencën tonë dhe do ta kundërshtojmë këtë përpjekje me të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion e do të vazhdojmë të organizohemi, çdo herë e më fuqishëm”.

/GazetaSinjali/