image Aktivistë raportojnë për helmime të reja në shkollat për vajza në Iran

Botë

Aktivistë raportojnë për helmime të reja në shkollat për vajza në Iran

news image

Aktivistët nga organizata norvegjeze për të drejtat e njeriut, Hengaw, kanë raportuar të hënën, më 1 maj, për raste të reja helmimi në shkollat për vajza në Iran.

Rastet raportohet të kenë ndodhur në kryeqytetin Teheran dhe në rajonin e Kurdistanit, i cili është kapluar nga protestat përgjatë muajve të fundit.

Në vendlindjen e Jina Mahsa Amini, vrasja e së cilës nxiti protestat mbarëkombëtare në Iran, forcat e sigurisë thuhet gjithashtu se kanë ushtruar dhunë ndaj nxënëseve.

Fillimisht nuk kishte asnjë informacion zyrtar lidhur me këto incidente në Iran, ku ka pasur trazira për rreth pesë muaj pa ndërprerje.

Në mbarë Iranin, nxënëset kanë marrë trajtim spitalor dhe mjekët thonë se bëhet fjalë për helmim me gaz. Mijëra raste të dyshuara janë regjistruar zyrtarisht nga autoritetet.

Disa prindër i kanë ndalur fëmijët e tyre nga shkollat për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre. Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i quajti këto incidente një “fushatë të koordinuar”.

Të premten, shërbimi i inteligjencës iraniane publikoi një raport përfundimtar mbi helmimet, duke arritur në përfundimin se nuk ka një rrjet të organizuar të autorëve të krimit. Shërbimi sekret argumenton se bëhet fjalë për histeri masive mbarëkombëtare.

Raporti i shërbimit të inteligjencës thekson se analizat e bëra gjetën kryesisht gjurmë të sprejit të piperit ose bombave me erë të keqe, në krahasim me substancat më serioze toksike. Prindërit dhe të afërmit e viktimave akuzuan autoritetet për dështim në mbrojtjen e fëmijëve.

Protestat pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini përderisa ishte në mbajtje policore kanë shkaktuar krizën më të madhe politike në dekada në Teheran. Kritikët thonë se helmimet janë hakmarrje për demonstratat.

/GazetaSinjali/