Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ofiqarit të Komunës së Mamushës dhe një personi tjetër për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari M.Sh., në cilësi të personit zyrtar, si ofiqar në zyrën e Komunës në Mamushë, në dokumentin zyrtar në shkurt të 2016-ës nuk i kishte shënuar të dhënat e duhura, duke e përpiluar “Aktvdekjen” për të ndjerin R.M, duke paraqitur si trashëgimtarë bashkëshorten e ndjerë H.M, bijtë e tij I.M., S.M., I.M., dhe Gj.M., pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, të dëmtuarin Z.Sh., i cili dokument në ndërkohë është përdorur si provë për trashëgimi te noteri.
Ndërsa, i akuzuari A.M., sipas aktakuzës, e kishte vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, të vërtetojë një çështje të pavërtetë, në atë mënyrë që pas datës 02.02.2016, kishte shkuar në Zyrën e Noteres në Mamushë, duke e dorëzuar “Aktvdekjen” me të dhënat e përshkruara si më lartë në bazë të së cilës noterja kishte sjellur “Aktvendimin Trashëgimor” pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Z.Sh.
“Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit M.Sh., dhe A.M., kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë. /Sinjali