image Aktakuzë ndaj 7 komunarëve të Prizrenit, i shkaktuan mbi 100 mijë euro dëm një kompanie

Kosovë

Drejtësi/ Aktakuzë ndaj 7 komunarëve të Prizrenit, i shkaktuan mbi 100 mijë euro dëm një kompanie

news image

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, për shkak të dyshimit, siç thuhet në njoftim, të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. 

Të akuzuarit janë S.P., N.K., V.I., B.N., B.K., A.Th., dhe N.A.

Sipas aktakuzës,  i akuzuari S.P., në periudhën kohore 2012-2014, N.K., në periudhën kohore 2014 -2016 dhe V.I., në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor pranë Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat zyrtare, siç thuhet në aktakuzë,  me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – ‘’InfraKos’’ me seli në Fushë Kosovë.

Këta tre të akuzuar, sipas gjykatës, kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturës së hekurudhës në Komunën e Prizrenit, duke i shkaktuar dëme materiale  kompanisë “InfraKos”.

Për këto veprime, gjykata vlerëson se, secili prej të akuzuarve veç e veç në vazhdimësi kryen veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.2 të KPRK-së.

“Ndërsa, i akuzuari B.N., gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat ose nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, si dhe duke i shkaktuar dëme personit tjetër, në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” me seli në Fushë Kosovë”,  thuhet në aktakuzë.  

Me këto veprime, sipas aktakuzës, B.N. ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.2 të KPRK-së.

Kurse, B.K., akuzohet se gjatë vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat ose nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër si dhe duke shkaktuar dëme kompanisë “Infrakos”.

Në këtë mënyrë ka kryer, B.K. akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

I akuzuari tjetër A.Th., akuzohet se i ka shkaktuar dëme materiale kompanisë në fjalë, duke i neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës,  gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Kryeshefit pranë “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës i zgjedhur në Janar të vitit 2012, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër.

“Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale. Me çka ka në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.2 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.

I akuzuar për këtë rast është edhe N.A., i cili, sipas akauzës, gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional pranë “Infrakos”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, ka neglizhuar detyrat e obligimet e tij,  me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Infrakos” me seli në Fushë Kosovë.

Sipas aktakuzës, N.A. i ka shkaktuar dëme kompanisë në fjalë duke bërë të papërdorshme  pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit.

Me këto veprime i akuzuari N.A., akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.2 të KPRK-së.

Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar se me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit  S.P., N.K., V.I., B.N., B.K., A.Th., dhe N.A., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së, pasi që kompanisë në fjalë i kanë shkaktuar dëm të përgjithshëm material në shumën prej 104,674.61 Euro.

Bëhet e ditur se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë.

Kujtojmë se kjo gjykatë ka ngritur aktakuzë edhe ndaj pesë zyrtarëve të tjerë të kësaj komune nën dyshimin se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza që mban datën 3 dhjetor 2019  ishte ngritur ndaj L.K., F.K., R.Sh., A.Sh., dhe G.B, të gjithë zyrtarë të Komunës së Prizrenit. /Gazeta Sinjali/