Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se lidhur me zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më datën 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale falsifikimi i rezultateve të votimit.
Në njoftimin e PSRK-së thuhet se në mesin e të akuzuarve janë: H. Sh. ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P.
Sipas PSRK-së hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota.
“Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim.
Sipas prokurorisë Speciale, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.