image Aksidentet me fatalitet, Byroja Kosovare e Sigurimeve pagoi mbi 10 milionë euro dëme në vitin 2021

Siguri

Aksidentet me fatalitet, Byroja Kosovare e Sigurimeve pagoi mbi 10 milionë euro dëme në vitin 2021

news image

Rritja e numrit të rasteve të vdekjeve në aksidentet rrugore mbetet shqetësuese dhe si shkak i kësaj janë mos respektimi i rregullave në komunikacion dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, tha se aksidentet e shumta në trafikun rrugor po i sjellin dëme Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ku vetëm vitin e kaluar kanë paguar 10.12 milionë euro dëme.

“Në vitin 2021 kanë hyrë gjithsej 425 mijë e 500 polica të sigurimit dhe sigurisht se një pjesë e tyre janë të përsëritura, dhe themi vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht të vitit të kaluar kanë hyrë nga pika kufitare 200 mijë vetura. Dhe nëse themi se në Kosovë janë të regjistruara 370 mijë vetura në mënyrë të rregullt do të thotë se numri i atyre që vizitojnë Kosovën me targa të huaja është më i lartë. Këto lëvizje të mëdha këto hyrje në Kosovë sigurisht që shkaktojnë edhe aksidente.”

“Gjatë 2021 në Byro janë paraqitur 4.204 aksidente nga bashkudhëtarë nga të huaj që lëvizin në Kosovë, pa regjistrim ose pa sigurim. Numri i tiketave është në rritje, gjithsej 16 mijë tiketa për automjete të paregjistruara. Për ne është sfidë, sepse Byroja Kosovare ka paguar 10.12 milionë euro dëme vetëm gjatë 2021, e që është shumë e lartë se çdo vit paraprak”, ka thënë ai në konferencën e tetë vjetore ndërkombëtare “Mobiliteti i mençur – e ardhmja e transportit te gjelbër dhe të qëndrueshëm”, organizuar nga Kolegji “Tempulli” në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar i Motorizimit AMRKS dhe Institutin për Siguri Rrugore dhe Hulumtime të Transportit.

Mazreku tha se në bashkëpunim me Kolegjin “Tempulli” dhe Policinë e Kosovës këtë vit do të organizojnë kampanja të shumta për parandalimin e aksidenteve rrugore./GazetaSinjali/