Një 22-vjeçare ka ndërruar jetë në spital pasi u aksidentua nga një automjet teksa ishte duke ecur në një rrugë të Durrësit, gjatë ditës së djeshme.
Viktima Erisa Aliaj ka humbur jetën ditën e sotme pasi nuk mundi t’iu bëjë ballë lëndimeve.
Ndërkohë policia ka njoftuar se ka vënë në pranga shoferin e dyshuar.
“Mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:45, në lagjen nr.17/1, Durrës, shtetasi I. U., 24 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij ka aksidentuar shtetasen E. A., 22 vjeçe, (këmbësore) e cila është dërguar në spitalin rajonal Durrës dhe ndodhej nën kujdesin e mjekëve, shtetasja E. A, për shkak të dëmtimeve të marra, ka humbur jetën ditën e sotme, në spital.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës, menjëherë pas aksidentit bënë arrestimin e shtetasit I. U., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.