Një aksident trafiku ka ndodhur në Grykë Rugovës, ku dy persona kanë mbetur të lënduar dhe një veturë shihet se ka pësuar dëme materiale.
Sinjalizuesit kanë dërguar fotografi nga ky aksident.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka informuar Sinjalin se dy persona kanë mbetur të lënduar në këtë aksident.
“Aksidenti ka ndodhur në kilometrin e nëntë gjatë rrugës për në Rugovë, kanë qenë të përfshira dy vetura. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona”, tha për Sinjalin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Një aksident i rëndë, ka ndodhur po ashtu gjatë ditës së sotme në qendër të Prishtinës. 9 vetura u përfshinë në këtë aksident dhe 3 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, për shkak të problemit me frenim të kamionit të kompanisë “Pastrimi”.
Kujtojmë se për çdo aksident trafiku qytetarët e Kosovës janë të detyruar që në të ardhmen t’i nënshtrohen procedurës së homologimit në kompaninë e Devollëve “EuroLab”.
Vendimi i datës 17 janar 2019 i marrë nga ministri Lekaj, obligon që të evidentohen në bazën qendrore të të dhënave të Policisë së Kosovës të gjitha mjetet rrugore të përfshira në aksidente trafiku, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dëmit.
Ky vendim, në momentin e jetësimit të tij të plotë, detyron secilin qytetar i cili përfshihet në aksident trafiku që veturën e tij ta dërgojë sërish për homologim, pavarësisht nëse ka qenë viktimë apo shkaktar i aksidentit./Sinjali/