image AKK kërkon nga MSH që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe gjatë vikendit

Shëndetësi

AKK kërkon nga MSH që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe gjatë vikendit

news image

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që qytetarët të mund të vaksinohen edhe gjatë vikendit, për shkak që situata me pandeminë thuhet se është shumë serioze.

Kryetar i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, për Gazetën Sinjali ka deklaruar se situata është emergjente dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrë masa serioze që qendrat e vaksinimit të jenë të hapura edhe të dielave, por edhe që të shtohet numri i qendrave të vaksinimit.

“AKK kërkon që popullata të vaksinohet edhe të dielave pasi që situata është shumë serioze. Është situatë emergjente dhe MSH duhet të ndërmarrë masa serioze që qendrat e vaksinimit të jenë të hapura edhe të dielave, por edhe të shtohen qendrat e vaksinimit. Po shihet që vetëm vaksinimi shpëton jetë”, tha ai.

Ibrahimi tutje ka theksuar se Qeveria duhet të gjejë mjete që t’i përkrah edhe me shujta ditore dhe me mjete shtesë financiare punëtorët shëndetësorë e sa më shpejtë të angazhojë edhe personel shtesë.

“Qeveria të gjej mjete, e jo mjetet të shkojnë në suficit, që t’i përkrah edhe me shujta ditore, por edhe me mjete shtesë financiare punëtorët aktual shëndetësorë, kurse sa më shpejtë që është e mundur të angazhojë edhe personel shtesë shëndetësor”, u shpreh ai.

Sipas tij, komunat janë të gatshme t’i ofrojnë objektet shëndetësore të cilat menaxhohen nga komunat vetëm që të ketë rritje të vaksinimit të qytetarëve.

“Kjo është urgjencë. Është e habitshme që në këtë situatë, sot qendrat e vaksinimit të jenë të mbyllura”, ka shtuar ai.

/GazetaSinjali/