Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka reaguar pas mosekzekutimit të pagave të muajit shtator për grevistët, raporton Gazeta Sinjali.
Sazan Ibrahimi nga AKK ka thënë për Sinjalin se kjo qasje e nivelit qëndror është në kundërshtim me praktikat e deritanshme të bazuara në ligjet positive në Kosovë dhe nuk ka ndodhur më parë që të ndalen pagat e asnjë sektori me të cilin menaxhojnë Komunat.
“Bordi rithekson se Komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. MFTP-ja është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast Komunave. Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit”, tha Ibrahimi.
Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani.
“Komunat e Kosovës, padrejtësisht edhe kësaj radhe po goditen në këtë garë të panevojshme ku humbësit më të mëdhenj janë nxënësit e Kosovës. Mos ekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor”, shtoi tutje Ibrahimi.