image Agjencia e drejtuar nga i përzgjedhuri i LVV-së “godet” Blerim Isufajn

Drejtësi

Agjencia e drejtuar nga i përzgjedhuri i LVV-së “godet” Blerim Isufajn

news image

Agjencia Kundër Korrupsionit ka parashtruar kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, për veprën penale raportimi i rremë i pasurisë, ka konfirmuar Agjencia Kundër Korrupsion përmes një përgjigje me shkrim.

“Agjencia kundër Korrupsionit ka përcjell kallëzim penal kundër Blerim Isufaj, vepra penale nga neni 430 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, me datë 15.02.2022 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

I kontaktuar, Kryeprokurori Blerim Isufaj nuk ka pranuar të komentojë kallëzimin penal të ngritur kundër tij.

“Le t’i kallëzon krejt Agjencia, unë s’kam nevojë me komentu”, ka qenë përgjigjja e shkurtë e Isufajt.

Agjencia Kundër-Korrupsionit drejtohet nga Ylli Buleshkaj, i përzgjedhur për pozitën e drejtorit të AKK-së nga shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje.

Para se të zgjidhej drejtor i AKK-së, Buleshkaj kishte shërbyer si zyrtar në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në prag të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte propozuar KQZ-së mos-certifikimin e kandidatëve të dënuar me vepra penale, zyra që asokohe drejtohej nga Buleshkaj kishte nxjerrë rekomandim të kundërt nga KGjK-ja.

Ai, i kishte rekomanduar përfaqësuesve të KQZ-së që të lejonin pjesëmarrjen në zgjedhje të kandidatëve të dënuar për vepra penale në tri vitet e fundit, në mesin e të cilëve ndodhej edhe Albin Kurti, sot shef i qeverisë, atëherë kandidat për kryeministër.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën është edhe Blerim Isufaj, aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Ai ishte edhe kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

/GazetaSinjali/