image Agim Veliu e kishte lënë Podujevën për t’u bërë ministër i MPB-së

Kosovë

Shkarkimi/ Agim Veliu e kishte lënë Podujevën për t’u bërë ministër i MPB-së

news image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, që për shumë vite udhëhoqi komunën e Podujevës, më 3 shkurt kur u formua Qeveria Kurti u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Me këtë rast Veliu e çoi Podujevën në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kandidat për kryetar nga radhët e LDK-së u zgjodh nënkryetari i kësaj komune, Nexhmi Rudari.

Por në vazhdimësi që nga koha kur LDK-ja negocionte me LVV-në për ta formuar qeverinë me kryeminstër Albin Kurtin, Veliu jepte deklarata në shpërputhje me zyrtarët e tjerë të partisë. Madje një deklaratë e tij pati bërë shumë bujë në rrjetet sociale ku sipas zyrtarëve të LVV-së gjatë një takimi kur po bëhej përpjekja për harmonizimin e programit qeverisës LVV-LDK, Veliu u kishte thënë ‘çonu s’e ska send këtu’, shkruan Gazeta Sinjali.

Por duket se kryeministrit Kurti iu mbush ‘kupa’ mbrëmë kur Veliu kishte dhënë deklaratë të ndryshme nga zyrtarët e Qeverisë, lidhur me përhapjen e koronavirusit në Kosovë.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit për shkarkimin e Veliut shkruan se “përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se kryeministri Kurti nuk e ka konsultuar atë për shkarkimin e Veliut dhe ky vendim është i papranueshëm për LDK-në.

Më pas Mustafa i kërkoi Kurtit anulimin e vendimit për shkarkimin e Veliut si dhe heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake deri në fund të javës.

Ndërkohë, vetë Veliu për vendimin e Kurtit ka thënë se nuk jemi në kohën e komunizmit dhe totalitarizmit që të mos ‘guxoj të flas askush’.

Agim Veliu mund të hyjë në mesin e emrave që mbajti më së paku postin e ministrit në historinë e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, zgjedhjet e parapara që të mbaheshin në Podujevë më 15 mars janë anuluar për shkak të rrezikut të përhapjes nga koronavirusi./Gazeta Sinjali/