image Agim Veliu ankohet në Komisionin Statutar të LDK-së për shkarkimin e tij

Politikë

Agim Veliu ankohet në Komisionin Statutar të LDK-së për shkarkimin e tij

news image

Gjatë ditës së sotme, Agim Veliu është ankuar në Komisionin Statutar të LDK-së për shkak të një vendimi të marrë më datën e 9 qershorit, përmes të cilit, kryesia e kësaj partie e shkarkoi atë nga udhëheqja e degës së LDK-së në Podujevë, ku ishte kryetar për disa mandate.

Vendimin e kryesisë së partisë së tij Veliu e ka quajtur si shkelje të statusit të LDK-së, politikisht të dëmshëm për partinë dhe jo etik dhe të pamoralshëm.

Agim Veliu, i cili në qeverisjen e kaluar ishte ministër i Punëve të Brendshme nga LDK, u anashkalua nga kryesia e partisë, derisa kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës për zgjedhjet e ardhshme lokale, LDK zgjodhi deputetin Ekrem Hyseni.

Në pikën 1 të këtij vendimi është emëruar kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës. Ky veprim është i kundërligjshëm nga ana e Kryesisë qendrore sepse me vendimin e atakuar kandidati është emëruar pa koordinim me Kryesinë e Degës në Podujevë”, thuhet ankesën e Veliut, të siguruar nga KALLXO.com.

Ai ka thënë se vendimi i Kryesisë së LDK-së e dëmton vetë partinë.

Përveçse kundër statutit, ky Vendim i Kryesisë Qendrore të LDK është edhe politikisht i dëmshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës në Përgjithësi dhe për Degën e saj në Podujevë në veçanti.”

Kjo për faktin se në vjeshtën e këtij viti mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, prandaj, në këtë proces Dega e LDK-së në Podujevë do të ketë reputacion të lënduar për shkak të këtij Vendimi arbitrar dhe kundër statutar të Kryesisë Qendrore dhe të kryetarit të LDK-së”, thuhet tutje në këtë ankesë.

Në fund, ai vendimin e Kryesisë, e ka quajtur të pamoralshëm.

Po ashtu, ky vendim është edhe i pamoralshëm në pikëpamje politike në raport me qytetarët e Komunës së Podujevës. Përveç tjerash, ky vendim i Kryesisë Qendrore është fyerje për qytetarët e komunës së Podujevës të cilët për 30 vite të themelimit të LDK e mbështetën, madje edhe në periudha të rënda.

Ky vendim përçarës i kryesisë qendrore të LDK-së është ‘CERTIFIKATË E MOSMIRËNJOHJES’ për kontributin, besnikërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme 30 vjeçare që qytetarët e Komunës së Podujevës dhanë për LDK-në. Njëjtë, është fyerje edhe për mua si themelues dhe kryetar i saj. Këtë e bëri Kryesia Qendrore e LDK-së në krye me kryetarin z. Lumir Abdixhikun”, thuhet në ankesën e Veliut./Gazeta Sinjali/