Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nga radhët e VV-së thotë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka treguar atij planin për shkëmbimin e territoreve në vitin 2015, në kohën kur po rivarroseshin eshtrat e Isa Boletinit.
Bahtiri thotë se ishte ai që nguli këmbë për varrosjen e eshtrave në qytetin ku jetoi Isa Boletini, ndërsa kishte pasur plane që ai të varrosej në Vlorë.
“Situata tani është jo e mirë. Planet e presidentit kanë qenë shumë më herët të ditura”, thotë Bahtiri.
“Unë e kam kuptuar në vitin 2015 se çfarë ka në kokë presidenti, kur ka qenë rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit. Kishim në plan me zyrtarë të Shqipërisë dhe të Kosovës që rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit të bëhej në vendlindje. Trupi të kaloi nga Vlora, në Tiranë, Prizren, Isniq, Skenderaj dhe Mitrovicë. Thaçi atë kohë më tregoi planin, të cilin unë i thashë si Agim Bahtiri nuk ka shanca ta pranoj. Rivarrimi i eshtrave do bëhej në tokën që planifikohej të i jepej Serbisë”, shton ai.
“Kosova do të fitonte një Mitrovicë të bashkuar, ndërsa do jepte Zubon Potokun, Zvecanin dhe Leposavicin për tokat në Luginë. Unë e pashë hartën dhe i di të gjitha tokat që do jepen centimetër për centimetër”, shton ai. /Gazeta Sinjali/