Këngëtari i muzikës popullore, Afrim Muçiqi, ishte njëri nga kundërshtuesit më të zëshëm të vendimit të qeverisë për anulimin e dasmave, si një nga masat antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, partitë politike kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve me tubime zgjedhore, derisa nuk është menduar fare për bizneset.
Në një debat televiziv Muçiqi e ka pyetur zyrtarin për media të Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hotin, nëse kjo ministri ka ndërmarrë diçka, pasi numri i të infektuarve me COVID-19, siç shprehet ai, u rrit për shkak të fushatës zgjedhore.
“Thatë se duhet të respektohen masat. Ju si ministri a keni ndikuar ose a e keni ngritë zërin kundër dukurive të partive politike të cilat i kanë shkelë këto masa në mënyrën më drastike të mundshme”, pyeti Muçiqi.
“Si qytetar i Kosovës po pyes. Para fushatës zgjedhore kemi pasur 220-230 raste ndërsa 10 ditë pas fushatës numri ka kaluar 600. A duhet të marrë dikush bile një përgjegjësi morale dhe t’ju kërkojë falje të gjithë qytetarëve të Kosovës apo vetëm duhet të penalizohen disa biznese?”, shtoi ai.
Ndërkohë, sipas Faik Hotit, zyrtar në MSH, numri i rasteve të rritura është rezultat edhe i shtimit të numrit të testimeve. Por ai nuk e mohoi ndikimin e fushatës zgjedhore në përhapjen e sëmundjes.
“Unë personalisht nuk përfaqësoj subjekte politike, jam shërbyes civil dhe një kohë të gjatë në MSH. Është e vërtetë që fushata ka ndikuar negativisht dhe ka pasur impakt të keq në përkeqësimin e situatës, por sa u përket shifrave, do të thosha se numri i rasteve në Kosovë pavarësisht se ka një rritje, nuk është më shumë se që ka qenë në muajt e verës sepse gjithmonë nuk duhet ta analizojmë numrin e të infektuarve vetëm si mostër e veçantë”, tha Hoti në RTV21.
“Ditëve të fundit ka pasur testime deri në katër mijë raste dhe unë jam shumë dakord që secili institucion për gabimet që bën të nxjerr mësime dhe pse jo edhe të kërkojë falje kur bëhen veprime që kanë impakt negativ në shëndet dhe ekonomi”, theksoi ai./Gazeta Sinjali/