image Afganët në Tiranë rrëfejnë situatën në Kabul

Shqipëri

Afganët në Tiranë rrëfejnë situatën në Kabul

news image

Pjesë e kontingjentit të qytetarëve të evakuuar nga Afganistani dhe që u strehuan me familjet e tyre në Shqipëri, janë pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë.

Mes tyre është dhe një ish-punonjës i qeverisë afgane, i cili po qëndron në konviktet e Qytetit Studenti.

Ai rrëfen arsyet që e detyruan të largohet nga vendin i tij, ku punonte në shërbim të qytetarëve dhe për disa organizata ndërkombëtare.

“Është situatë ekstremisht e vështirë, njerëzit atje nuk kanë një të ardhme që mund të parashikohet, pasi nuk dihet si do shkojnë gjerat. Atje s’ka qeveri, s’ka institucione që funksionojnë. Progresi që kemi bërë pas 20 vitesh nga ndihma ndërkombëtare është në rrezik. Ata që ndihmuan Afganistanin duhet të punojnë për të stabilizuar situatën sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Qytetari nga Afganistani, i cili paraditen e të shtunës po shijonte ambientet e pushimit në Qytetin Studenti së bashku me fëmijët, thotë se është i kënaqur me mikpritjen.

“Ishte udhëtim i këndshëm, mikpritja këtu është e mirë. Po shijojmë dhe kohën pasi moti është i bukur. Dolëm shëtitje me fëmijët dhe ndihem mirë kur dhe fëmijët janë të gëzuar”, u shpreh ai.

Ndonëse dita e parë në vendin tonë, ai thotë se Shqipërinë e ka njohur nëpërmjet internetit dhe se ka dashur gjithmonë ta vizitojë, raporton tvklan.

“Unë kam dëgjuar shumë për Shqipërinë më parë, kam dashur të jem këtu. Jam njohur me Shqipërinë në internet dhe kam pasur dëshirë ta vizitoj. Tani e vizitova si i evakuuar, por dhe kështu është mirë”, theksoi ai.

Ashtu si bashkëkombësit e tij, edhe ky qytetar u dërgua nga shërbimet sociale në qendrën shëndetësore, por dhe në mensë për t’u ushqyer.

/GazetaSinjali/