Dje u konfirmuan 2,708 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, nga testimi i 10.883 qytetarëve, derisa u regjistrua një rast i vdekjes.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, 25 për qind e rasteve të testuar kanë rezultuar pozitivë.
Aktualisht në vendin tonë raste aktive me COVID-19 janë 9,771.
Kujtojmë se dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar përditësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë – ku ka marrë pjesë kryeministri – është thënë se pothuajse të gjitha rastet e infektimit janë me variantin Omicron të koronavirusit.
Kurti ka kërkuar që masat e reja të kenë qëllim ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit.
Sipas masave aktuale, të miratuara më 23 tetor të vitit të kaluar, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga mesnata deri në ora 05:00.
Bizneset e gastronomisë punojnë deri në orën 23:00, derisa muzika ndalet në orën 21:30.
Masat e reja pritet të prekin orarin e këtyre bizneseve.