image Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në SHBA miraton përdorimin urgjent të vaksinës Pfizer

Botë

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në SHBA miraton përdorimin urgjent të vaksinës Pfizer

news image

Është dhënë miratimi për përdorim urgjent të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” kundër COVID-19 në SHBA.

Autorizimin për këtë e ka dhënë, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e Shteteve të Bashkuara.

Autorizimi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve për përdorim urgjent të vaksinës së parë kundër Covid-19 është një hap i rëndësishëm në luftimin e kësaj pandemie shkatërruese që ka prekuar aq shumë familje në Shtetet e Bashkuara dhe përreth botës”, tha përmes një deklarate komisioneri i këtij institucioni, Dr. Stehpehn Hahn, përcjell Gazeta Sinjali.

Ky vendim shënon një pikë kthimi në Shtetet e Bashkuara, ku mbi 294 mijë amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi, më shumë se në secilin shtet tjetër në botë.

Shtetet e Bashkuara i ndoqën shembujt e Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Meksikës, të cilat gjithashtu e kanë miratuar përdorimin e kësaj vaksine për përdorim të gjerë në publik.

Shkencëtarët ende janë duke bërë hulumtime për të zbuluar se sa zgjat reagimi imunitar që e shkakton kjo vaksinë, shkallën e rasteve pa simptoma te personat që vaksinohen dhe për të vërtetuar nëse vaksina e parandalon përhapjen e virusit nga personat e vaksinuar te të tjerët.

Vaksina në Shtetet e Bashkuara do të jetë e lejuar për personat mbi moshën 16-vjeçare, ndërsa kompania që e ka zhvilluar atë po e vazhdon një studim të efekteve të vaksinës te fëmijët e moshës 12 deri 15-vjeçare./Gazeta Sinjali/