Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate është zotuar se do të hetojnë gjithçka, sa i përket raportimeve rreth abuzimeve me fondet e destinuara për pacientët që kanë nevojë të trajtohen jashtë vendit.
Në reagim, mes tjerash, thuhet se Qeveria do të qëndrojë afër pacientëve, me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara, shkruan Gazeta Sinjali.
“Qeveria qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh, që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara. Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen“, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunim organeve të drejtësisë, për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht, lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimet në emër të pacientëve.
“Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, është shkruar në deklaratën e ekzekutivit.
Reagimi i Qeverisë vjen pasi në “KOHA”, janë botuar disa hulumtime që lidhen me abuzime me fonde të pacientëve, që kishin nevojë të mjekoheshin jashtë Kosovës.
Ndërsa Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë, të martën në RTK, ka thënë se do të deponojnë në prokurori çdo provë që Ministria e Shëndetësisë e ka në lidhje me këtë çështje, në mënyrë që të zbardhet e vërteta.