Posti i presidentit është bërë çështje diskutabile brenda koalicionit qeverisës. Nga LDK-ja shprehen të palëkundur nga presioni i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj për ta marrë këtë post.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka thënë se posti i presidentit mund t’i takojë subjektit politik në të cilin bën pjesë ai, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kemi parë deklarata ndoshta që shumë shpesh kanë marr edhe vëmendje mediatike, qoftë të liderit të AAK-së, qoftë të tjerëve edhe për pozita të ndryshme për mbarëvajtje të koalicionit ose qasjen e qeverisë karshi dialogut e kështu me radhë. Ideja është që të ulen krerët e partive. Është dashur që takimi të mbahet të premten, por njëri nga liderët nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë, prandaj është shtyrë për të hënën. Thjesht një takim i cili do t’i trajtojë të gjitha çështjet e hapura, duke përfshirë edhe mënyrë e dialogut edhe çështjen e presidentit… Nuk është diskutuar asnjëherë se cilës parti duhet t’i takojë, por unë besoj që edhe LDK-ja si një parti shtetformuese e cila ka dhënë shumë për vendin edhe i ka numrat në Kuvend dhe besoj që edhe LDK-së mund t’i takojë posti i presidentit”, ka deklaruar Abrashi.
Lidhur me deklaratat që LDK-ja po kërkon përfshirjen e PDK-së në qeveri, Abrashi tha se ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. Madje ai thotë se as nuk janë takuar me ta për ta diskutuar këtë.
“Ende nuk ka asgjë konkrete, nuk është diskutuar rreth kësaj… Nuk ka pasur takime, kam lexuar nëpër media që ka pasur takime edhe në jug të Shqipërisë, por nuk qëndrojnë. Prandaj, ne kemi një qeveri që është funksionale, një president që po e ushtron funksionin e tij dhe gjithçka duhet të shihet në këtë kuadër”, tha sekretari i përgjithshëm i LDK-së për kp.
Për Abrashin, mocioni për rrëzim të Qeverisë Hoti i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje është vetëm hipokrizi.
Derisa beson që kjo iniciativë nuk do ketë sukses, Abrashi thotë se një veprim i tillë nga ana e LVV-së ka qenë vetëm sa për të marrë vëmendje në skenën politike.
“Nuk besoj që do ketë sukses. Nuk e shoh si një iniciativë le të themi serioze për rrëzimin e qeverisë. Jam i bindur se edhe ata e dinë që nuk ka rrëzim në këto rrethana politike. Tek e fundit unë e shoh pak edhe si hipokrizi këtë punë sepse ata na kanë akuzuar neve për mocion mosbesimi në kohë të pandemisë, ndërsa ata po e bëjnë të njëjtën… Mendoj se është thjesht një veprim politik i tyre, një kërkim i vëmendjes më të madhe në skenën politike dhe si i tillë nuk besoj që do ketë sukses. E kemi parë se është bllokuar numri i 30 nënshkrime në ata deputetë që i kanë. Nuk besoj që do hasin mirëkuptim në pjesën tjetër të deputetëve”, theksoi Abrashi. /Gazeta Sinjali