image Abrashi: Nuk pranojmë Asociacionin, ofrojmë themelimin e Këshillit Nacional të Pakicave

Politikë

Abrashi: Nuk pranojmë Asociacionin, ofrojmë themelimin e Këshillit Nacional të Pakicave

news image

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë përpjekje që t’i bind aleatët ndërkombëtar se Këshilli Nacional i Pakicave është alternativë e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, transmeton Sinjali.

Themelimi i Këshillit Nacional për Pakicat sipas tij nuk e rrezikon funksionimin e brendshëm të Kosovës dhe është ekuivalente me atë çfarë kanë pakicat në vendet e rajonit.  

“Kërkesa për zbatimin e asociacionit nuk është diçka e re, vazhdimisht ka qenë qëndrim i ambasadave në Kosovë, për fat të keq i papërgjegjësisë së klasës politike që është krijuar një realitet i cili neve na ra barrë për ta korrigjuar. Është e papranueshme që për funksionimin e mirëfilltë të brendshëm të Kosovës të instalohet një mekanizëm që funksionon si pushtet i tretë. Ai mekanizëm të jetë në kriterin etnik dhe ne nuk mund ta rrezikojmë funksionimin tonë të brendshëm duke u nisur nga përgjegjësia e paraardhësve tanë dhe veçanërisht tek insistimi i kërkesave serbe, që është kërkesa kryesore e Vuçiqit në këtë proces të bisedimeve. Ne duhet të punojmë shumë me miqtë tanë ndërkombëtar, me ambasada se implementimi eventual i kësaj ideje e defunksionalizon Kosovën”, thotë Abrashi.

Ai deklaron se fakti që kundërshtojnë asociacionin, nuk do të thotë që nuk kanë alternativë tjetër. Sipas tij, këshilli nacional për komunitete është zgjidhja e vetme për përfaqësimin e komunitetit serb dhe të tjerave në Kosovë. “Serbia nuk e shikon Asociacionin si mundësi për përfaqësimin e interesave të serbëve, por si mekanizëm bllokues dhe sabotues të shtetit të Kosovës. Prandaj kjo alternativë karshi Asociacionit mono-etnik është zgjidhja e vetme për përfaqësimin e komuniteteve serbe dhe të tjera në Kosovë” ka thënë Abrashi për KP. /Gazeta Sinjali/