Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, nga selia e partisë ka thënë se do të vazhdojnë sa më shpejt me procedura për rrezimin e Qeverisë Kurti, ndërsa tregon se LDK-ja nesër do të cojë mesazh Shteteve të Bashkuara të Amerikës se po dalin nga “Qeveria e cilësuar si antiamerikane”.
“Të premten do të cojmë sinjale në Amerikë se nuk do të jemi pjesë e një qeverie që po cilësohet si antiamerikane”, ka thënë Abrashi.
Derisa ka treguar për takimet e kryetarit Isa Mustafa me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn, Abrashi thotë se për mocion nuk kanë biseduar me PDK-në.
“Me PDK-në s’kemi pasur kontakt. S’besoj se do të kemi. Por do ta shohim”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Abrashi, i pyetur nëse disa deputetë kanë dalë kundër prishjes së koalicionit me Vetëvendosjen, ka thënë se në kryesi kanë qenë kundër një apo dy vota dhe se nuk e di qendrimin e secilit në Grupin Parlamentar.
“Unë mund të flas për kryesi. Dje në kryesi ka pasur vetëm një votë kundër, apo dy. Ka pasur konsensus të plotë për mocion”.
“Është dashur të veprohet kështu, sepse do të shkonte edhe më keq. Kjo nuk ka ardhur me dëshirën tonë, por me shkeljen e marrëveshjes nga kryeministri Kurti”.
Ndërkaq ai tregon se LDK-ja të premte do ta njoftojë SHBA’në për prishje të koalicionit me LVV-në.