Tammy Abraham është lidhur me një rikthim në Premierligë me sulmuesin anglez që i ka ofruar shpresë Arsenalit dhe Chelseat duke pranuar se mund të rikthehet sërish në Londër, transmeton Sinjali Sport.
24-vjeçari u largua nga Stamford Bridge verën e kaluar për të kërkuar pozitën e titullarit dhe deri tani ai ka bërë punë të jashtëzakonshme në Roma, ku ka shënuar 23 gola në Itali.
Pas kësaj forme të mirë, Chelsea thuhet se po shqyrton një opsion rikthimi, ndërsa Arsenali mbetet në treg për një numër të ri 9, dhe Abraham ka lënë të kuptohet se ai mund të rikthehet atje dhe mund të konsiderohet një opsion për ‘Gunners’.
I pyetur nga talkSPORT për spekulimet që ai po krijon, Abraham tha: “Kur shoh raporte që më lidhin me klube të tjera, më bën të ndihem mirë, të bën të ndihesh sikur po bën diçka të drejtë. Është një ndjenjë e këndshme të shohësh emrin tënd nëpër gazeta. Për mua ka të bëjë me përqendrimin për të bërë biznesin tim këtu. Mund të vazhdoj të lidhem me shumë klube, por kush e di se çfarë ka e ardhmja? Sigurisht që jam rritur në Angli, jam një djalë londinez. Kështu që ndoshta një ditë do të kthehem në Premier Ligë për të bërë ‘zhurmë’ atje. Për mua tani ka të bëjë me përqendrimin te Roma, për të bërë më të mirën që mundem dhe shpresoj t’i fitoj këta djem një trofe që ata nuk e kanë bërë për shumë vite“, ka deklaruar Abraham.