image Abelard Tahiri: Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve

Kosovë

Ministri/ Abelard Tahiri: Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve

news image

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti,  “është mjeshër i huqjeve”.

Këtë deklaratë Tahiri e ka dhënë pas përfundimit të takimit të sotëm LDK-VV, që u mbajt për të diskutuar arritjen  e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

“Është për keqardhje që në mënyrë kaq irracionale e me deklarata pompoze, Hoti flet për transparencën, kur as pas dy vite opozitarizmi të përbashkët, dhe as pas dy muajsh negociata, transparenca e LDK-së dhe VV-së nuk ka kaluar më shumë se një fjali: “u pajtuam që të merremi vesh””, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Sipas, ministrit në detyrë, mungesa e transparencës rreth takimeve dhe marrëveshjes në përgjithësi është dëshmi se qeverisja e tyre do të jetë e plogësht dhe pa zgjidhje.

“Thanë se kanë harmonizuar qëndrimet e asnjë qëndrim s’është bërë i njohur. Thanë se kanë bashkuar programin, por asnjë shkronjë prej tij s’e kanë prezantuar për informim të qytetarëve. Thanë edhe shumë gjëra të tjera, përderisa me vepra po dëshmojnë se ky standard i ri i transparencës, është asgjë më shumë, sesa mungesa e plotë e saj. Në fakt, kjo është veçse një dëshmi pararendëse e modelit të qeverisjes që LDK-ja dhe Vetëvendosja presin t’ua shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një model i plogësht, pa ide e pa zgjidhje, kreativiteti i të cilit nuk shkon më larg sesa kamuflimi i lodhtë i Avdullah Hotit rreth transparencës që na pret”, ka përfunduar Tahiri. /Gazeta Sinjali/