image Abdixhiku reagon për grevën: Pushtet autokratik që me frikë e kërcënim provon t’i mbulojë dështimet

Politikë

Abdixhiku reagon për grevën: Pushtet autokratik që me frikë e kërcënim provon t’i mbulojë dështimet

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas “kërcënimit” të Qeverisë se do t’ia ndalin pagat punëtorëve që do të grevojnë.

Për këtë çështje, Abdixhiku tha se “narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim”.

Sipas Abdixhikut, kërkimi i listave të punonjësve në grevë “përveçse presion” është edhe “kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik”.

I pari i LDK-së tha se sot, shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri.

“Këtë përballueshmëri ata se gjejnë dot. Ata kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij. Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë. Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha”, ka shkruar ai në Facebook.

/GazetaSinjali/