image Abdixhiku thirrje qytetarëve: Vaksinohuni e kujdesuni vetë, kjo qeveri ka dezertuar

Politikë

Abdixhiku thirrje qytetarëve: Vaksinohuni e kujdesuni vetë, kjo qeveri ka dezertuar

news image

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar në lidhje me vaksinimin, si dhe pas përkeqësimit të situatës pandemike në vend, shkruan Gazeta Sinjali.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se Qeveria Kurti është qeveria më dembele në Evropë, pasi që në kulmin e pandemisë janë mbyllur qendrat e vaksinimit gjatë ditëve të vikendit.

Do t’iu thoja vaksinohuni, siç dhe ju themi çdo ditë e për ditë, por ku të vaksinoheni sot kur Qeveria më dembele në Evropë ka vendosur t’i mbyllë qendrat e vaksinimit në kulmin rekord të pandemisë. Ku t’i merrni vaksinat sot kur shteti është, me vetëdije, në pushim vikendi? ”, ka shkruar Abdixhiku.

Qendrat janë të pamjaftueshme edhe po të hapeshin në plotni. As tre turne s’bëjnë punë në kulm të shpërthimit masiv. Në vend të një administrimi kolektiv, gjithënacional, që përfundon në pak ditë, Qeveria jonë zgjedhë pushim. Mbesim të fundit në Evropë në administrim; të parët për infektime për kokë banori në ditë. Një vend kaq i vogël, vazhdon t’i ketë 80% e popullsisë të pavaksinuar”, shtoi tutje ai.

Në fund, Abdixhiku thotë se si rezultat i këtij menaxhimi mbyllja e serishme vjen si e pashmangshme.

Mbyllja e serishme na vjen si e pashmangshme. Këta kanë dezertuar kujdesin për pandeminë. S’merren me të, sikurse me asgjë. Prandaj kujdesuni për vete!

Vaksinohuni! – kurdo që vendosin këta të punojnë”, u shpreh Abdixhiku.

/GazetaSinjali/