image Abdixhiku pret në takim Rohde dhe Sarrazin: Serbia të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve

Politikë

Abdixhiku pret në takim Rohde dhe Sarrazin: Serbia të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se ka pritur në takim emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor z. Manuel Sarrazin, i cili shoqërohej nga ambasadori Rohde dhe zëvendësambasadori gjerman Conrad.

Abdixhiku tha se i ka shprehur qëndrimin mbështetës të LDK-së ndaj institucioneve të vendit, të sigurisë, rendit e ligjit, në veçanti ndaj djemve e vajzave të Policisë së Kosovës, të cilët me plot guxim e profesionalizëm përballën sulmin e djeshëm terrorist.

Ndër të tjerash, i pari i LDK-së shtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve.

Postimi i plotë:

Si pjesë e vizitës emergjente në Kosovë pas ngjarjeve të fundit në veri, sot, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, prita emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor z. Manuel Sarrazin; i cili shoqërohej nga ambasadori Rohde dhe zëvendësambasadori gjerman Conrad.

Të dërguarin e posaçëm gjerman, e falënderova për mbështetjen e shtetit Gjerman dhënë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës përgjatë gjithë zhvillimeve të djeshme. Mesazhet e qarta dhe të pa ekuivok në momente të tilla janë domethënëse në përballjen me terroristë. Dhe këto mesazhe nuk i munguan vendit tonë.

Shpreha qëndrimin mbështetës të LDK-së ndaj institucioneve të vendit, të sigurisë, rendit e ligjit, në veçanti ndaj djemve e vajzave të Policisë së Kosovës, të cilët me plot guxim e profesionalizëm përballën sulmin e djeshëm terrorist.

Shpreha po ashtu, domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve.

Në këto momente, maturia politike e Kosovës, vendosmëria në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe bashkërendimi me miq e aleat janë kruciale në përballjen e çfarëdo provokimi. Kosovës i duhet mençuri dhe vendosmëri në kapërcimin e gjendjes së tanishme. Mbi të gjitha, Kosovës i duhet vizion e unitet për rrugën përpara.

/GazetaSinjali/