image Abdixhiku për vizitën në SHBA: Kam takime në Departamentin e Shtetit, s'do t'ia bëj opozitën Qeverisë

Politikë

Abdixhiku për vizitën në SHBA: Kam takime në Departamentin e Shtetit, s’do t’ia bëj opozitën Qeverisë

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë detaje rreth vizitës që do ta realizojë javën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Abdixhiku ka thënë se atje do të ketë takime në Departamentin e Shtetit, si dhe takime me kongresmenë e senatorë.

“Unë kam një (vizitë) në ShBA, një javore, të aranzhuar kohë më parë, e cila do të nis javën e ardhshme, pra do të fluturoj të dielën për në Washington dhe atje do të zhvilloj takime zyrtare që i kemi paraparë në State Department, takime me kongresmenë e senatorë, në institucione të sigurisë amerikane, me think-tanke të pavarura, me figura të rëndësishme atje, si pjesë e angazhimit tonë politikë. Ka njëfarë tradite LDK-ja historike dhe një relacion të ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Abdixhiku në Klan Kosova.

I pari i LDK-së ka thënë se atje do të shkoj të flas për zhvillimin e vendit, e jo për t’ia bërë opozitën Qeverisë.

“Më lejoni të bëj të qartë se atje do të bëj përfaqësimin me pikëpamjet tona sa i përket zhvillimit të vendit, jo të bëj opozitë kundrejt Qeverisë. Pra, nuk është ky qëllimi i vizitës. Unë asnjëherë nuk bëj opozitë jashtë vendit…Unë nuk dal jashtë ta shaj vendin tim”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku është pyetur nëse këto vizita mund të konsiderohen favorizim për opozitën e sanksionim për Qeverinë, por ka thënë se “s’do ta lexoj ashtu”.

Sipas tij, është interes i vendit që përfaqësuesit shtetëror të Kosovës të kenë vizita sa më të shpeshta në ShBA.

“S’dua ta lexoj ashtu dhe s’do të doja ta lexoja ashtu. Po them edhe njëherë që është interes i vendit që përfaqësuesit shtetëror të Kosovës të kenë vizita sa më të shpeshta në ShBA, t’kenë lidhje sa më të ngjeshura atje”, ka thënë ai.

Mediat serbe kanë qenë të parat që kanë raportuar se Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut i është refuzuar viza. Por më pas ajo ka reaguar duke thënë se “në koordinim me zyrtarët e lartë të ambasadës amerikane vizita e dhjetorit për në SHBA është shtyrë.

“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. Ambasadori i SHBA e tha hapur tani se nuk është koha që ministrat të udhëtojnë në SHBA sepse në Kosovë ka krizë.

Ndërkaq është raportuar se as kryetari i Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi nuk do të udhëtojë për në SHBA.

Fatri Zhitia, zëdhënës i komunës së drejtuar nga Bulliqi, ka publikuar vizën e shefit të tij. Megjithatë e ka pranuar që vizita i është shtyrë.

“Kryetarit Bulliqi i është lëshuar viza amerikane për 5 vjet. Ndërsa vizita e cila ka qenë e planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme në IOËA të ShBA-së është shtyrë për në fillim vit në dakordim edhe me kryetarët e tjerë të komunave për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit”, ka shkruar ai, të mërkurën.

Ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd e deri te sekretari i SHBA-ve, Antony Blinken i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta shtyjë vendimin për targat.

Kurti ka vepruar ndryshe, vendosi që vendimi për targat të zbatohet gradualisht, duke filluar nga faza e qortimit, gjobitja, targat e përkohshme dhe nga 21 prilli i vitit 2022 edhe konfiskimi i veturave që nuk i mbajnë targat RKS.

Megjithatë kjo nuk i ka mjaftuar perëndimit, kanë kërkuar shtyrje të plotë, jo zbatim gradual.

Pas kësaj SHBA-ja e ka përsëritur se vendimi për targat duhet të shtyhet për 10 muaj.

Opozita e ka kritikuar kryeministrin Kurti që ”është duke i dëmtuar raportet me SHBA“të, ekzekutivi mohon.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një konference për media më 8 nëntor, ka thënë se “konsultohet vazhdimisht me ambasadorin amerikan në vend”.

Sipas tij, raportet me SHBA po perceptohen si “gjyshi me nipin”.