Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se nga kryeministri Albin Kurti nuk kanë parë plan konkret për zgjidhjen e situatës në Veri të vendit.
“Si LDK i jemi përgjigjur pozitivisht për të diskutuar mbi gjendje e sigurisë në veri të vendit. Kemi shprehur gatishmërinë për të mbështetur çdo hap që synon koordinimin tanë me aleatët, nuk kuptuam diçka më të re se deklarimet publike. Nuk pamë plan konkret për zgjidhjen e vakuumit. Nuk pamë lëvizje për koordinim me aleatët ndërkombëtar.
Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të de stabilizimit të vendit. Duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”, tha Abdixhiku para gazetarëve.
Ndryshe, Kurti ftoi në takim opozitën pas zhvillimeve të fundit në vend ku serbët lanë pozitat e tyre në institucionet e Kosovës, derisa gjendja është ende e tensionuar për shkak të vendimit për targat.
Ftesës së Kurtit iu përgjigjen pozitivisht tri partitë opozitare, PDK,LDK dhe AAK.