Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka qëndruar sot në Obiliq për të takuar qytetarë të kësaj komune. Ai ka thënë se ka dëgjuar sfidat dhe problemet e rënda sociale e ekonomike në këtë kohë krize që qytetarët po përballën çdo ditë.
Sipas Abdixhikut, Kosova po kalon një periudhë të rëndë ekonomike, e karakterizuar nga çmimet e larta, pagat e ulëta, furnizimi energjetik, mungesa e investimeve kapitale, rrënimi shëndetësor, kriza në arsim e ikja e të rinjve.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur që në kohë krize të qëndroj spektatore, ajo në vend që të marr hapa konkret në lehtësimin e krizës ekonomike, po e rëndon atë, duke mos vepruar e duke u sillur që gjithçka është në suaza normale. Inflacioni sot ka arritur në shifra rekorde ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës, ngritja e çmimeve të produkteve bazike është dyfishuar, andaj dhe lufta për ekzistencë është beteja me të cilën po përballën shumë qytetarë”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së gjithashtu ka folur edhe për krizën energjetike, për të cilën tha se e ka rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve tanë.
“Kriza energjetike ka rënduar jetën e qytetarëve; para nesh kemi një dimër të vështirë, do të përballemi me mungesë të energjisë elektrike. Një Qeveri e përgjegjshme që ka kaluar një dimër në krizë deri tash do të duhej të bënte të gjitha përgatitjet për të kaluar këtë dimër më lehtë. Kjo papërgatitje e thellon edhe më tutje krizën e cila do të sjellë pasoja për qytetarët tanë dhe për industrinë në vendin tonë”, shtoi Abdixhiku.