Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se vendi duhet të koordinohet me aleatët, si SHBA-të dhe Evropa.
Abdixhiku theksoi se Kosova nuk duhet të bëhet vatër e provokimeve të Serbisë, derisa tha se në këtë fazë, është shumë i rëndësishëm koordinimi me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne besojmë që janë dy çështje që Kosova duhet t’i ketë parasysh, dhe ajo më e rëndësishmja ka të bëjë me stabilitetin brenda territorit të vetë, pra brenda Republikës së Kosovës. Është esenciale që në kohë të zhvillimeve të ndryshme të sigurisë në kontinent Kosova të mos bëhet vatër e provokimeve të Serbisë që më pas do të prodhonin situata të paparashikueshme, por që në këtë fazë për Kosovën është e rëndësishme që të ketë koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar me theks të veçantë me SHBA-të dhe aleatë të tjerë evropianë”, ka thënë ai.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se vonesat në koordinim, lënë hapsirë për destabilizim të vendit, por edhe gjurmë të pariparueshme të marrëdhënieve.
“Besoj që çdo vonesë në këtë koordinim të ngushtë lenë hapsirë edhe për destabilizim të vendit edhe për situata të paparashikueshme, por mbi të gjitha lë gjurmë të pariparueshme të relacioneve që Kosova duhet t’i ketë ngushtë me aleatët e vetë”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.
Ndryshe, Abdixhiku ka filluar vizitën në SHBA në fillim të kësaj jave, ku ka vizituar Departamentin e Shtetit, Kongresin Amerikan e Pentagonin.
Abdixhiku atje, ka zhvilluar një takim edhe me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.