Sot në Kosovë pritet të vijnë edhe 96 qytetarë të tjerë të cilët gjenden jashtë vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë ku zhvilloi një takim me ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Anton Quni, u bëri thirrje qytetarëve që gjenden jashtë vendit të lajmërohen për kthim vetëm nëse kanë urgjencë.
” Ju lus, edhe një herë, për shkak të kapaciteteve të ngarkuara në Kosovë, të paraqiteni për kthim vetëm nëse keni urgjencë. Secili i kthyer vendoset në karantinë. Na jepni kohë të organizohemi më mirë. Jepni prioritet të njerëzve me nevojë. Si shtet e kemi detyrë e obligim të kujdesemi për secilin qyterarë tonin kudo që është”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Para pak kohe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur 180 udhëtar të ardhur nga Gjermania, të cilët u vendosën në karantinë në konviktet e studentëve.
Transportimi i tyre nga aeroporti për te Qendra e Studentëve u bë me autobusë të veçantë, të cilët ministri i Infrastrukturës, njofoi se u siguruan nga FSK-ja.
“Kur mbetëm keq e na duhej ndihmë, i telefonova Antonit. I shpjegova vështirësitë e transportit të sigurtë për në karantinë – pa rrezikuar shëndetin publik. Dhe si ushtarak që është më pyeti thjeshtë ‘A ka mbetë puna tek ne? Na leni këtë pjesë.’Pjesa tjetër ishte krejt e lehtë”, ka shkruar Abdixhiku.
Kujtojmë që për izolim dy javor në konvikte, gjatë ditës së djeshme, janë vendosur edhe 39 qytetarë të ardhur nga Stambolli i Turqisë.
Deri tani në Kosovë janë konfirmuar 22 raste të prekura me koronavirus./Gazeta Sinjali/