Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një komunikatë për media, të lëshuar nga LDK-ja, thuhet se Abdixhiku Lajçakun dhe Escobarin e ka njoftuar për qëndrimet e partisë së tij karshi procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë, raporton Gazeta Sinjali.
Abdixhiku, ndër të tjera ka deklaruar se finalja duhet të përfshijë njohjen reciproke në kufijtë aktual të Republikës së Kosovës dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Kryetari Abdixhiku i njoftoi për qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut, me ç’rast i bëri të ditur edhe njëherë që LDK-ja mbështet procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës. LDK mbetet partnere kredibile e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në proceset e rëndësishme të vendit”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Kryetarin Abdixhiku e priti në takim Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesi i Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčák
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, sot është takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčák.
Kryetari Abdixhiku i njoftoi për qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut, me ç’rast i bëri të ditur edhe njëherë që LDK-ja mbështet procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundoj me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës.
LDK mbetet partnere kredibile e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në proceset e rëndësishme të vendit.