Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur para mediave pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, shkruan Gazeta Sinjali.
I pyetur nga gazetarët, Abdixhiku tha se vendimi nëse deputetët e LDK-së do të qëndrojnë në kuvend ose jo gjatë votimit të Vjosa Osmanit për presidente, do të merret në fundjavë, kur do të mblidhet kryesia e re e kësaj partie.
“Këtë çështje duhet trajtuar me kohë, nesër kemi takimin bilateral me palën tjetër. Besoj që gjatë vikendit do t’i informojmë organet e partisë, siç është kryesia e LDK-së dhe aty e marrim vendimin në koordinim të plotë më Grupin Parlamentar të LDK-së“, tha ai.
Abdixhiku tha se partia që ai udhëheq synon t’i shmangë zgjedhjet, të kontribuojë në formimin e institucioneve që këto institucione të jenë demokratike.
“Pra t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e Presidentit. Për çështje tjera do ta kuptojmë pas takimit të nesërm. Kemi synime që t’i shmangim zgjedhjet e përsërita, të mërzitura e të kushtueshme për këtë vend të vogël”, tha ai./Gazeta Sinjali/