Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se janë ndërpritur të gjitha fluturimet (ardhjet) në Aeroportin e Prishtinës. Ky vendim do të zbatohet nga dita e hënë, në mesnatë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku, ka bërë të ditur gjithashtu se largimet nga aeroporti për jashtë janë të lejuara varësisht nga interesi i operuesve.
“Ne vazhdimësi të vendimit qeveritar, ju njoftoj se të gjitha fluturimet (ardhjet) në Aeroportin e Prishtinës ndërpriten të hënën, me 16 mars, në mesnatë. Pas kësaj date, largimet nga Aeroporti për jashtë janë të lejuara varësisht nga interesi i operuesve. Ju lus t’i aranzhoni fluturimet deri në këtë kohë”, ka shkruar Abdixhiku.
Po ashtu, ai ka ndërprerë edhe transportin ndër-urban dhe atë ndërkombëtar.
“Sonte, me efekt të menjëhershëm, kam ndërprerë edhe transportin ndërurban e ndërkombëtar – për udhëtarë”, ka shkruar Abdixhiku.
Derisa në fund tha se do ta fitojmë këtë betejë, me solidaritet dhe qetësi, si dhe me kujdes për njëi-tjetrin.
Në Kosovë janë shënuar dy rastet e para me koronavirus./Gazeta Sinjali/