image Abdixhiku me akuza ndaj Qeverisë: Kosova ka rritjen ekonomike më të ulët në gjithë dekadën e shkuar

Politikë

Abdixhiku me akuza ndaj Qeverisë: Kosova ka rritjen ekonomike më të ulët në gjithë dekadën e shkuar

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur Qeverinë aktuale si populliste e toksike – nga e cila nuk po arrin të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend.

Në fjalimin e tij në tubimin për 33-vjetorin e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se Kosova si shtet i pavarur e sovran, “po udhëhiqet nga mosbesues të saj”.

“E udhëhequr nga popullistët që s’zgjedhin mjete për pushtet, e toksikuar nga diskursi politik e polarizues në vend, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo po përdoret si platformë e revansheve historike ndaj të kaluarës së lavdishme të lëvizjes sonë popullore që sot po i shënon 33 vjet”, ka thënë ai.

Kreu i LDK-së ka kritikuar Vetëvendosjen se ka ngel peng i “përbaltjes të së shkuarës” dhe “harron ta bëjë punën e së tashmes”.

“Rrugët kanë mbetur të njëjta, shkollat, çerdhet, spitalet e termocentralet e domosdoshme për vendin nuk kanë marrë asnjë vëmendje tash e dy vjet. Prandaj sot Kosova ka rritjen ekonomike më të ulët në gjithë dekadën e shkuar. Prandaj sot papërballueshmëria e qytetarëve tanë është e rëndë. Prandaj sot bizneset kosovare nuk kanë as punë; e për fatin e keq nuk do të kenë as punëtorë sepse ikja vazhdon dhe atë në rritje të frikshme. Për më tepër, një pushtet i paaftë brenda është i paaftë edhe jashtë; prandaj sot e dy vjet Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje, nuk ka bërë as edhe një anëtarësim, nuk ka bërë as edhe një shenjë të vetme në avancimin e çështjes së Kosovës nëpër botë. Mbi të gjitha, sot Kosova është bërë temë e deklarimeve zhgënjyese nga aleatët tanë që na qëndruan në përpjekjen tonë kolektive edhe për liri, edhe për pavarësi edhe për demokraci. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar ndonjëherë”, ka thënë ai.

/GazetaSinjali/