Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur një deklaratë të ministrit Hekuran Murati, i cili tha se Ligjin për Byronë opozita e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese.
“Që pse duhet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme! Ligjin për Byronë opozita e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Kjo flet mjaftueshëm për opozitën”, kishte thënë ndër të tjera Murati.
Por, Abdixhiku sot në një kundërpërgjigje thotë se Byronë e Konfiskimit të Pasurisë e ka votuar LDK-ja, derisa akuzat e pozitës për këtë i quan propagandë.
“Ose merreni për shembull propagandën e tyre rreth Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë tek rasti i konfiskimit të aseteve të Radojçiqit, në të cilin përndryshe kanë folur vetë këta. Por, për Byronë thonë se po e bllokon opozita. Byronë e Konfiskimit të Pasurisë e ka votuar LDK-ja, e di sepse e kam votuar vetë. Sepse isha aty, sepse pushteti s’kishte vota për ta votuar atë. Vetëm falë votave tona u votua Byroja e Konfiskimit të Pasurisë. U votua sepse e kishim program tonin elektoral, ishte ide e jona fundja. Sepse besojmë se hajnat duhet vërtetë të jenë në burg”, tha Abdixhiku.
Këtu ai akuzoi Qeverinë për tenderë të rinj sekretë dhe se në këtë mënyrë po jepen nga 1 milion euro në ditë.
“Por, kur jemi tek hajnat dhe tek burgu vetëm gjatë kësaj jave, vetëm për 5 ditë pune janë nënshkruar plot 7 tenderë të rinj sekret në këtë Qeveri. 4.1 milionë euro të reja janë dhënë në tavolinë sy më sy. Më s’janë 781 kontrata janë 788, më s’janë 209 milionë euro, janë 213 milionë euro. Nga 1 milion euro në ditë po jepen në këtë Qeveri, nëpërmjet negocimit sekret. Kjo është e vërteta, këto janë faktet dhe ne jemi këtu për t’i vendosur faktet para propagandës!”.
Videoja e sotme e Abdixhikut është në kuadër të një nisme të partisë për të sfiduar “propagandën e Qeverisë me fakte”.
“Këtë javë kemi vendosur të shpërfaqim propagandën qeveritare, por me fakte. Sepse çdo postim i tyre, çdo deklarim i tyre është i mbushur me propagandë. Merreni për shembull temën e investimeve kapitale ku thonë se janë më të lartat në histori, për të bërë vetën të duken më mirë. Besoni ose jo i llogarisin edhe investimet e komunave, aty ku ne si LDK kemi rol qeverisës. Sa për rikujtim investimet e Qeverisë në këto tre vitet e fundit janë vetëm 11%, më të ulëtat në historinë e Kosovës”.