image Abdixhiku e Haradinaj takohen me Von Cramon, flasin për zgjedhjet lokale

Politikë

Abdixhiku e Haradinaj takohen me Von Cramon, flasin për zgjedhjet lokale

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë pritur në takime të ndara raportuesen për Kosovën në Komisionin Evropian, Viola Von Cramon, me të cilën kanë diskutuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër.

Në këtë takim, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se eurodeputetët kanë shfaqur interesimin e tyre për përgatitjet e LDK-së dhe kanë uruar mbarëvajtjen e tyre.

“Eurodeputetët shfaqën interesimin e tyre për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet dhe uruan për mbarëvajtjen e tyre.  Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për prezencën e misionit vëzhgues në monitorim të zgjedhjeve duke theksuar nevojën për një proces fer e demokratik”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LDK.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka biseduar me Cramon për procesin zgjedhor, pjekurinë politike e demokratike të Kosovës, si dhe organizimin e fushatës.

“Bashkëbiseduam me eurodeputetët për procesin zgjedhor, pjekurinë politike e demokratike të Kosovës në këto zgjedhje, e po ashtu edhe për sfidat e organizimit të fushatës në gjendje pandemike. Falënderova Misionin Vëzhgues të BE-së, për punën e tyre të vazhdueshme në monitorimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e tyre për demokraci sa më të konsoliduar në vendin tonë”, tha Haradinaj./Gazeta Sinjali/